POEZI TË FRYMËZIMIT E PËRJETIMIT KONKRET
Shkruan:Bekim KRASNIQI
Rreth librit"TOKË DARDANE"Shaban CAKOLLI
Shaban Cakolli në fushën e poezisë nuk është i panjohur për lexuesit,nga se poezitë e tija përveq që i kemi hasur në gazetat dhe revistat tona në Kosovë dhe diasporë,ka botuar edhe këto përmbledhje poetike:
"TOKË DARDANE"
"LOTI I ATDHEUT"
"DETI I QIELLIT"
"KRISMA E FJALËS"
"AGSHOLI"
Disa nga poezitë e Shaban Cakollit i gjejmë të përkthyar edhe në gjuhën gjermane,turke dhe kroate.Është i përfshirë edhe në antologjitë:
"ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE"-Anthology der modernen albanischen Lyrik
"ASHT E GJAK ARBËRIE"-Botuar nga LSHAKSH në Gjermani
"JEHONAE SHEKUJVE",botuar nga Sokol Demaku
"ETJE E PASHUAR"-Botuar në Dardanë nga Hysen Këqiku,Nexhat Rexha dhe Sinan Sadiku
Në monografinë"GJIMNAZI ISMAIL QEMALI" në Dardanë,nga Xhavit Kryeziu,etj......
Ne po japim një vështrim të shkurtër rreth përmbledhjes së parë poetike"TOKË DARDANE" të autorit Shaban Cakolli
Libri është i ndarë në gjashtë cikle:"Rasat e mërgimtarit";"Bota e maskave";"Druri i Jetës";"Bylbyl i lumtur";"Fati i brezave" dhe"Tokë e premtuar.Ajo që bie në sy te poezitë e kësaj përmbledhje është se autori nuk shkruan
vetëm sa për të thënë,por shkruan kur shpirti i tij frymëzohet nga përjetimet konkrete,atëhere kur ndjen nevojë për të shprehur mllefin ose dashurinë,për të treguar se qëndron i patundur ndaj stuhive të jetës dhe tjetërsimit
që sjell mërgimi.
Në shfletimin e librit"Tokë Dardane",bindemi se na bie në dorë një libër që hapet dhe mbyllet me bukuritë me ankth të ndrrimeve.Gjatë leximit hasim kujtimet e kaluara dhe mallin për vendlindje,të trajtuara përmes strumullarit
poetik të poetit Cakolli,që realizohen përmes konstruktit ëndrrues që paraqitet te gjithë lirikët,të cilit nuk i ka shpëtuar as Cakolli,por që në hyrje na e bënë të ditur natyrën përvuejtëse të vargut të vet,nga se në poezinë hyrëse
"KA KOHË " shprehet:
Ka kohë që më janë ngatrruar ëndrrat
dhe nuk e di kur fillon e kur mbaron
Ëndrra.
Një cikël mjaft i realizuar është"Druri i Jetës" ku poeti ilustron humbjen e mikeshes Liliane Perrin.Si hero lirik,poeti nuk përton herë-herë të prek ndoshta pafajsisht edhe terrenet sa të drejta për poezinë,siç është rasti me poezinë
"Ëndrrat"ku poeti shprehet:
Vetëm një grusht dhe Kosove
do të na sjell
pushimin e trupit
dhe qetësinë e shqisave tona.Si tek proza realiste e Migjenit,mbi fatin e Lukes,hasim poezinë e Cakollit"Para Xhamisë së madhe në Prishtinë"ku poeti dhimshprehet:
Në Prishtinë
para Kafenesë"Besa"
Bërlyket shpresa për çdo ditë
Para Gjamisë së madhe
tubohet mëngjeseve rinia
Për të shitur rininë e vet
As me pishë as me qiri
kurkund s´gjen
mall më të lirë në treg.
Tek poetiShaban Cakolli,përmes poezive të tija,ndjehet fuqishëm malli rrëmbyes për atdheun,urrejtja ndaj robërisë,pasojë e së cilës poeti e sheh edhe rrugën e mërgimit.Plagën e mërgimit,e cila dhemb,trazon e mundon,e ka të hapur
në shumicën e poezive.Përmes vargjeve prekëse thur dhembjet te poezia"PLAGA E KURBETÇARIT" dhe vazhdon:
Është plagë
e nuk mbyllet kurrë
as në zemër
as në shpirt.
Përmes vargjeve poeti paraqet poezinë si plagë,botën e maskave pas proceseve të ndryshme,dhe jeton me realitetin.Te poezia "BOTA E MASKAVE" edhe pse mjaft e shkurtër,poeti flet shumë dhe i vë në pah politikajt që përpiqen
sipas karrikave të luajnë flamujt.Po e japim në tërësi këtë poezi:
BOTA E MASKAVE
Është bërë bota
si Laraska
krijon fytyra
me dy maska
një dje,
tjetër sot,
neser duket
si robot!
Poezinë "Pishtar Drite" ia përkushton Rektorit të UT,Fadil Sylejmanit,ku me të drejtë e emëron"Pishtar drite" ky pishtar drite në qiellin e shqipeve,bëhet Qiri i Naimit i cili shuhet për të bërë dritë për vegjëlinë.
Duke bërë një kohë në mërgim ,poeti e ndjenë këtë plagë të hapur,e ndjenë këtë jetë të nemur e cila e shtynë të shprehet përmes vargjeve të poezisë
RASAT E MËRGIMTARIT
Një jetë e nemur
e lakuar nëpër rasa
Në emrore:Iliri
në kallëzore:Dardani
në rrjedhore:Kosovë
thirrorja na u është zhdukur
se nëna s´na dëgjon
emri ynë
edhe sot lakohet
nëpër histori.
Te poezia "NË KUJTESË" poeti përkujton rrugën e gjatë e të mundimshme meridianeve dhe shprehet:
Mbi kokë
pleqëria se ç´mi shkundi
borërat e Sharrit
e duke bredhur meridianeve
ninullat e nënës s´mu ndanë
dikush po qan
mos po qaj unë?
Si zë i zemrës që vuan nga fati i hidhur,Cakolli i rreket një pëllumbi të huaj,ku përmes vargjeve shprehë fuqishëm pulsin poetik të atdhedashurisë.Te poezia "PËLLUMB I HUAJ"poeti ka dyshimin në këtë pëllumb për te i huaj
dhe shprehet:
Ai nuk e njeh qiellin tim
që e ruaj në bebëz
di të fluturoj vetëm mes reve me tym
që na i ngulfasin mushkëritë tona fshatare.
Poeti bie ndesh me këtë pëllumb të huaj dhe më tej shprehet:
Edhe gugatjen e ka në gjuhë të huaj
As dreqi si merr vesh
figurat që bënë
tek fluturon nëpër qiell.
Cakolli poezinë e tij shpirttrazuar e karakterizon me përjetimin e thellë të dramës historike të popullit tonë dhe sërish i rreket pëllumbit të huaj e i thotë:
Më mirë është tía vënë
një degë dafine në sqep
dhe të lutemi të na sjell paqe
në këtë globin tonë
gjysmë tokë,e gjysmë ujë loti.
Poeti Shaban Cakolli me mall,dhembje dhe dashuri i këndon tokës shqiptare.E ndjenë dramën e saj dhe me frymëzim poetik e trajton në vargje veqmas te poezia"DARDANIA"
Ja këto janë ato vise
ku pemët piqen në dimër
e lulëzojnë në verë
Duke shprehur një pezm ndaj padrejtësive që u janë bërë,poeti shprehet fuqishëm:
Fëmijët dardanë
këmbëzbathur ecin
nëpër acarin e shekujve
për të arritur
në tokën e premtuar.
Frymëzimi poetik i tij ka gjeografinë e vet specifike siç e përcakton vet poeti:
Kjo tokë është Dardania
e gdhendur në atë mburojë
që e mbajnë
luftëtarët e saj
nëpër betejat
që s´i regjistroi
historia.
Në fund,në kërkim të jetës,lirisë,duke u përpjekur për një të ardhme të mirë,Cakolli na çon në tokën e premtuar"Eldoradon" e mistershme,ku një ditë do të përfundojmë të gjithë.U përpoqëm që mes këtij vështrimi të shkurtër
të japim sado pak një përshkrim rreth përmbledhjes poetike"TOKË DARDANE" të autorit Shaban Cakolli,të cilën e botoi"DODONA" Tiranë,e cila u promovua në disa Lande të Gjermanisë,ku u mirëprit mjaft mirë nga lexuesit
dhe u shpërnda dukshëm në diasporë dhe hapësirën shqiptare.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen