Sonntag, 19. September 2010

PËRMBLEDHJA POETIKE"TOKË DARDANE"

Shaban  Cakolli

"TOKË DARDANE"
  "DODONA"

BIBLIOTEKA"SHTIGJET"


Redaktor:
Sabri Bresa

Recensent:
Adem Istrefi

Ballina:
Agim  Morina






             KA KOHË
Ka kohë
që jam duke u ngjitur
Lugut të Blertë
të Gërmisë.

Ka kohë që ujë pi
në krojet e fëminisë.


Ka kohë
që më janë ngatërruar kohët
dhe nuk e di  kur fillon e kur mbaron
Ëndrra.




ARBËRIA

Më e moçme se Hëna është Arbëria,
rrënjët i shtrin
tek  mitet ilire
ku^perëndesha  Dea
qumësht i jep
gjarpërit të shtëpisë.

Ëndrrat arbërore
me Qerren e Diellit
udhëtojnë
për të pushuar
në svastikën
e djepave tanë.

Derisa flenë arbërorët
dy shqipe të pagjuma
ëndrrat na i ruajnë
 netëve me hënë.



DARDANIA
Ja këto janë ato vise
ku pemët piqen në dimër
e lulëzojnë në verë.

Fëmijët dardanë
këmbëzbathur ecin
nëpër acarin e shekujve
për të arritur
në tokën e premtuar.

Kjo tokë është Dardania
e gdhendur në atë mburojë
që e mbajnë
luftëtarët e saj
nëpër betejat  që s´i regjistroi
historia.



ZHGËNJIME

Evropën e krijuan së pari
me mite e legjenda.

Erdhi nga antika
në katër këmbë
në përrallat moderne
me urinë e Kronosit.

Djepi i saj
ku i dhamë qumësht legjendash
ende përkundet bosh
në  gërmadhat e  Ballkanit.


LEGJENDA E ROZAFATIT
Një fëmijë
kërkon gji
nga guri.

Nëna e murosur
me qumështin e saj
ruan qytetin e Shkodrës
nga ushtat e helmuara
të legjioneve romake.

Më kot babai
fëmijës së vet
i rrëfen rrugën e përgjakur
deri te kënga e lahutarit.

Ai s´do të kthehet
pa i pirë dy-tri pika qumësht
nga legjenda
e këtij shekulli.


DUKE SHIKUAR ORËN

Një shekull iku
duke shikuar
diellin me zenit.

Ku mbet ora jonë
që mat rrjedhën e gjakut
në histori?....

Pena ime gërryen mbi  letër
hieroglifet
me të cilat kam shënuar
kronologjinë
e lindjes
deri në perendim
të epokës së gjakut.


DRURI I JETËS

Liliane Perrin-it

Ajo vdiq në nëntor
dhe flamujt e fateve tona
i zbritëm në gjysmështizë.

Liliane Perrini-i,
medalon i përjetshëm
ne do ta mbajmë të varur
në kujtimet tona.

Ajo iku në nëntor
dhe vjeshta hyri me verdhësi
në visoret e ëndrrave
duke shkundur gjethet
në Drurin e Jetës.

ËNDRRAT
Na mbytën ëndrrat
e dheut të huaj

Edhe netëve të pagjumë
bredhim të përhanshëm
hapësirave të bleruara
të vendlindjes.

zgjohemi
me ëndërr në qepallë,
dhe ngrysemi mbi pjalm gjumi
në bebëzen e lulëzuar.

Vetëm një grusht
dhe Kosovë
do të na sjellë
pushimin e trupit
dhe qetësinë e shqisave tona.


ROJA E TUFËS

Kur këndon Baca Nazif
fotografitë në mur lotojnë
nga malli:
"Ngjitet tufa me këmborë,
u prinë dashi me kurorë..."

Në karrige ahu
që ka lëshuar gjethe
rri ulur duke i rënë kavallit
i zgjon bylbylat e mallit
në kopshtet e largëta
nëpër këngë.

Nëpër mure zhagitet
hija e dashit të therrur kurban
për festën tonë të motmotit.


MALLI PËR FSHATIN E LINDJES

Arën me grurë e solli
në dhomën e stolisur
me kallij të vendlindjes.


Këtu në këtë qytet të huaj
as  gruri se ka ngjyrën
e bebëzave tona:
është jeshil si zhapini
tek rrezitet mbi shkëmbij.

U poqën kallijtë në dhomë
nga malli ynë
ngjyrë bakri.

PLAGA E KURBETÇARIT

Është plagë
 e nuk mbyllet kurrë

as nëzemër,
as në shpirt.

Stinët ndërrojnë,
datat në kalendar,
akrepat qarkojnë
rrathët e ferrit.
koha rri e ngrirë
në kujtime.

Plaga ime kullon
gjak
pika-pika
mbi kujtime....


SHAMIJA

Ma dha shaminë
që pat fshirë
lotin që ia shkrumoi faqet.

Kur u zgjova nga gjumi
me të i fshiva kujtimet
e lëndimet e zhubrosura...

Po njelmësinë e mërgimit,

me se do ta fshija,
me se do ta hiqja?


RASAT E MËRGIMTARIT

Një jetë e nemur
e lakuar nëpër
rasa.

Në emërore:Iliri!
në kallëzore:Dardani!
në rrjedhore:Kosovë!

Thirrorja është zhdukur
se nëna s´na dëgjon.

Emri ynë
edhe sot lakohet
nëpër histori.


NË KUJTESË

Dikush qan
mos po qaj unë?

Me ninullat të bukura
mí ndizte nëna
dhe qirijtë qiellorë
mbi kokë.

Mbi kokë,
pleqëria se ç´m´i shkundi
borërat e Sharrit
e duke bredhur meridianeve
ninullat e nënës s´mú ndanë.

Dikush qan
mos po qaj unë?


MALLI

Kur e lash shtëpinë
dhe ika nëpër botë
nëna deri te pragu i shtëpisë
më përcolli me lotë.

Ika unë i mjeri
nëpër baltë e terr,
nëpër shteg ylberi
vajta drejt në ferr.

Dielli rri i ngrirë
në qiellin e huaj
duke ma ngrohë jetën
me javë e me muaj.


Rrudhat e pleqërisë
s´ma shuajnë atë zjarr
që në vendin tim
të kem një copë varr.


REFREN KURBETÇARI

Kafka të ngjitura për lëkurë
që jetën s´e shijojnë kurrë
duke kujtuar lodrat e fëminisë
vrapin e bagëtisë në fushë
mallin që është përzier në këtë tymnajë.

Kush do túa ushqejë shpresën
ata që kurrë s í sheh të qeshur,
Rini e mbështetur për mur
deri kur?




KROI I AHUT

Nën shiun plak
diku në mal
buron me currila
uji kristal.

Rrjedh uji ngadalë
malit tatëpjetë,
siç rrjedh nëpër vite
malli im për jetë.

Një ylber kujtimi
rrjedh nëpër mote
prej zemrës sime
deri te zemra jote.


BYLBYL  I LUMTUR
Ti në kafaz
unë mes natyre
ti këndej
e unë

matanë pasqyre


Ti lart në qiell
e unë poshtë në  tokë,
as për një shekull
s´bëhemi shokë.

Eja të ndërrohemi
për shekullin e ri.:
unë pëllumb
ti bëhu njeri.



DITË E VONUAR
Si pikë uji nga shkretëtira
bëhu oazë
dhe mbushi burimet
që t´i freskosh zemrat e djegura
nga vapa qiellore.

Dhe eja
ditë e ëndrrave të bardha!


NËNA

Fjalë e qëndisur
me shkronja ari
te kokat e shqiponjës
në flamur.

U rritëm nëpër shekuj
në prehrin e saj,
me bazybenë
që na e lidhi për qafe
bredhim nëpër histori.

Edhe sot në kurbet
në ëndërr netëve dimërore
më  flet.


DALLËNDYSHES

Shko në kopshtin tim
këput veç një mollë
ma sill t´i marr erë
të bëhem erë e saj.

Ma sill një lulëkuqe
me ngjyrë të flamurit
t´ma zdriti udhën
e shtegun nëpër terr.


KËNGË QYQESH

Në pullazin e shtëpisë
tubohen qyqet.

Netve me hënë
majë oxhaku
heshtjen mortore
vetëm kënga e tyre
e prish.

Mbështjell me ëndrra kobzeza
nëna mallkon
këngën e tyre mortore.


PARA XHAMISË SË MADHE  NË
PRISHTINË

Në  Prishtinë
para kafenesë"Besa"
bërlyket shpresa për çdo ditë.

Para Xhamisë sëMadhe
tubohet mëngjeseve rinia
për të shitur rininë e vet.

As me pishë as me qiri
kurkund s´gjen
mall më të lirë në treg.



BOTA E TJETËRSUAR

Shekuj me radhë
po lind
engjëj dhe tiranë.

Rruga ku takohen
shtruar me të zeza,
mbretëri e tyre
shtrihet në varreza.

DHEMBJE

Ngricë përjashta e ngricë përbrenda
ku të gjejnë zemrat pak ngrohtësi
dashuria ku do të shkrijë?!

Duke pritur ata që ikin
duke pritur ata që s´vijnë
më të vocërr po bëhen fëmijtë.
Po Gjeto Basho Muji kur do ta kapë thikën
për ta mbytur  frikën?


NETËT PA GJUMË
Dhoma fle
po shtati im sé ndjen qetësinë:
mendimet bredhin nëpër visore,
qelizat ëndërrojnë sferat e dritës
ndërsa eshtrat parandjenë se do të bjerë shi.

Në mua s´ka qetësi:
zemra troket në një portë
ku e dashura ime qëndis
pajën e fëmijëve tanë të palindur.

Në një ëndërr hap një dritare:
fluturat e dritës vërshojnë nëpër perde
dhe shëndrrohen në fluska drite.

Zgjohem dhe shënoj në ditar:
notat e një kënge të harruar
në një legjendë.


PËLLUMB I HUAJ
Ai nuk e njeh
qiellin tim
që e ruaj në bebëz.
Di të fluturojë
vetëm mes reve me tym
që na i ngulfasin
mushkëritë tona fshatare.

Më kot shikojmë nga qielli
ai asnjë lajm nuk do t´na e sjellë
nga shtëpitë tona mbuluar me mall.

Edhe gugatjen
e ka në gjuhë të huaj
As dreqi s´i merr vesh
figurat që bën
tek fluturon nëpër qiell.

Më mirë është t´ia vënë
një degë dafine në sqep
dhe të lutemi të na sjell paqe
në këtë globin tonë
gjysmë tokë
e gjysmë ujë loti.


NË PRITJE
A do të kthehet ndonjëherë
si zog shtegëtar
për të marrë vezën  e harruar
në pullazin tonë.

si stalagmit mijëvjeçar
pres i shtangur
fluturimin e tij nga vendlindja
unë Ago Ymeri vetë.



VENDI IM
Natë për natë
shëtis visoreve me hënë
buzë lumit,
fushave me grunaja,
pyjeve të gjelbëruara.

Krojet gurgullojnë në gjuhën e këngës
bari pëshpërit
baladën për Rrushen e Rexhës,
era zgjon  mallin
e fjetur në   zemër.

Natë për natë
bredh bulevardeve të ëndrrës
dhe në shtëpi nuk arrij kurrë.

RRUGËT E MIA
Jam udhëtar
që kërkon Itakën e vet.

Meridianeve të Europës
shetita,
nëpër hotele  luksoze
kam fjetur
dhe asnjë çast pushimi
nuk pata

As buka s´pat shije
as uji i kroit,
pa i prekur  nëna ime.

Shesheve të qyteteve
u mungonte  aroma e blirëve
të buzërrugëve të mia.

Dhe vazhdoj  rrugën
dhe  s´di  kush më shtyn
e në Itakën  time s´arrij kurrë.


BOTA  E MASKAVE
Është bërë bota si  laraska
krijon fytyra me dy maska,
një dje,
tjetër sot,
nesër duket si robot.

NË BRENDI
E sotmja
qan të nesërmen,
të dyja në shpirtin tim ndeshën,
unë mes tyre përpiqem
të arrij  triumfin.



PISHTAR   DRITE
Fadil Sylejmanit

Pishtar  drite
në qiellin  e shqipeve:
e sjell pranverën në stinët tona,
ngrohtësinë  në  kujtime,
shënon  vitet  e  dritës,
që  arrijnë  nga  stërgjyshërit  tanë.
Meshtar i të dielave tona
kur  besimtarët
bien në gjunjë
tek predikon të ardhmen.

Qiri  i Naimit
që shuhet për të bërë dritë
për poetin e tretur
në bardhësinë e letrës.


I  HUMBURI
Kur deshi të kalojë
nëpër pragun e dy stinëve
u rrëzua në gurin e moshës.

Buza i rrodhi qumësht
se ende dhëmbët e qumështit
s´i ishin ndërruar çunit.

Tashti ndjek gjurmët e stinës
duke ëndërruar mustaqet e misrit
t´i rritën nën hundë.



USHTRIMI   I   DURIMIT
Digjet si Ago Ymeri
për fjalën e dhënë:
besë sot
a ka ndër burra?

Thinjat e durimit iu nxinë
dhe rishtas iu zbardhën
nën flakën e ftohtë
që digjet nëpër fjalë.

S´ka zjarr që ia pjek
kulaçin
që ia gatuan e bija e mbretit.
Ai do të kthehet
pas nëntë vjetëve
te nusja e vet.

MALLËNGJIM
Motra kur u bë nuse
hapi portat e ngujuara
të një stine të re.


Qerrja e kuqe me katër rrota kohe
kaloi  mbi fëmininë  e saj.

Motra iku!
Ç´zog do të këndojë
në drurin e manit
mallin  e saj?



ELDORADO
Aty  sundon vetëm një stinë:
gjethet  thahen
në bebëz
ku bën vapë tropikale.

Aty mbretëron vetëm  një kohë:
Doruntina do t´mbetet pa u martuar
se treqind  krushq
kanë humbur rrugën
deri te shtëpia e  saj.

Çika potureshë  këndon
balada
me një kurorë gjaku në kokë.

El Dorado  është
ëndrra jonë shekullore.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen