Poezi nga Naim KELMENDI
ESENCA
Në esencën e gjërave
kërkoje veten
në margjinat e jetës
nuk jetohet ashtu vetëm
të kanë zbuar
deri në moskuptim
pastaj t’i bëjnë
të nëntëdhjetenëntat
prapa shpine e përanash
tash të duhet vetëm esenca
e asaj që është gjakuar
nga paraardhësi ynë
në një kuptim të jemi Një
me degët rreth një trungu
jo ti fryesh më një fyelli shurdhan
nëpër botë fillivetëm pa identitet
kthehu te esenca dhe kërko kuptimin
në lëkurën tënde të rrjepur
në gjeografinë e kombit
sepse mashtrimit i del vonë tymi
po një mik yti tash është sa njëqind
të dikujt tjetër,
aty ku duhet të jesh ti ende s’je
e mos më kallëxo përralla pa kripë
kur e lëqit vëllain tënd
pse sheh me sytë e Argusit
pastaj si mor si kënaqesh
me vetveten në kaq kuptim
po a ta kanë copëtuar gjeografinë etnike
shekujve dhe a s’po të dhemb kjo
kur në esencë nuk je ai që je
DUKE QENË VETVETJA
Duke qenë vetvetja jam mërguar
nga esenca e gjërave të dashura
jam mbyllur si eremit në jetën e pajetë
kam thirrur në njeri dhe s’më ka dëgjuar kush
askushët janë shtirur se kinse s’kanë dëgjuar
se kinse s’kanë parë asgjë përtej hundëve
duke qenë vetvetja kam rënë në dashuri
me të vërtetën e ditur e të hidhur pelin
ia kam vënë kokës fjalën në pritë
vetëm për t’ua thënë në sy t’palarat
vetëm për t’ua numëruar poshtërsitë
dhe, duke qenë vetvetja përjetësisht
gjak më kanë pikuar mendimi e fjala
dhe s’kam luajtur kurrë nga e thëna
veç plagët ulërinin idhshëm shpirtërisht
UNË ME KOHËN FLAS VET
Dikund në një sfond i vetmuar po vdiste
zëri i një fëmije-engjëll
për shkak të hipokrizisë së të mëdhenjve
vetëm për shkak të vdekjes
së ndërgjegjës në njeri
dhe për shkak të mosleximit
të librave filozofik mbi moralin
librat nuk shiten si dikur
në treg shkojnë flakë laviret
marihuana pederët dhe gratë mashtruese
a po frikësohesh nga e ardhmja e pakrijuar
e pyeta dikend atje në grumbull
para shitores ushqimore me çmime të lira
jo assesi, sepse jemi mësuar tashmë
me gjakderdhjen me terrorin me krizat me luftën
po fatin tim si ma ruajnë kaq shumë
këta, armiqtë që kurrë nuk flenë -
këtë herë heshtjen s’do ta lë të heshtë
unë me kohën flas vet për gjërat në mungesë
për tregun e fjalëve që shiten shtrenjtë
në emër të çështjes kombëtare
për shpirtin e lënë rrugëve të botës
përtej shtatë detëve,për biografinë
në pasqyrën e thyer në letrat e dashurisë
të vëllait Serembe, atij fatkeqit dashnor
ai sërish mendon të kthehet në vendin e krimit
qyqet do i vras mbi qiparis nëse më vajtojnë
këngë qyqesh, s’dua më këngë vajtimi
mbi një mendim më pret ky fati im, i miri
sepse e di pse jam dhe e di kush jam
andaj me kohën flas vet unë i-liri
MEDITIM
Keni masakruar shekujve
me gulfim gjaku me mizori
por, a e keni menduar një
se veç një farë shqiptari
t’mbetet dikund, ai do t’mbijë
zoti s’ka thënë se do zhduket
ashtu si mendon armiku i tij…
Prishtinë, dhjetor 2009
ÇAST VETMITAR
A thua
a do të kishte kuptim
kjo Mulhouse
pa një shqiptar
si unë,
edhe këtu flitet shqip
dhe pëlcet shqip mendimi
heshtja e vret heshtjen me përmallim
po ku u fshehët biografi
e gjurmëve, dilni
biografi e rrugëve të fatit tim
Mulhouse, korrik 2009
KUTIA E MENDJES
E di se jam
atje
këtu
gjithkund
ngapak
dhe ndoshta askund
e di që jam
ai që jam
në ecje
të pandalshme
për t’i kapur fijet e këputura
dikund ka ndodhur
pakuptimësia
dhe ka ardhur rënia
tash jam aty ku jam
sërish te kërkimi
në vetveten e humbur
caqeve të pakuptimësisë
në aureolë të jetës
më pret lavdia
atje në breg të fjalës
në breg të shkrimit
një horizont i bardhë
hapësirave të pajetuara
Shtutgart, 8 korrik 2009
NDJENJË
Unë ty të kërkova
apo ti mua më gjete
fati im i fshehur
kemi kaluar
rrugë të gjatë
e të përvuajtur
sërish u takuam bashkë
e u pamë me hënë të mirë
me hënën pesëmbëdhjetëshe
tash po ecim
me veten tonë secili
me nga një kryq mbi shpinë-
ATY KU S’ISHIM
Secili jeton të veten
pjesën e vet secili
e merr nga dega e tij
dhe ecjen dhe biografinë
e vuajtjes
prandaj uroj të kenë vreshtat rrush
e të bëjnë kumbullat kumbulla
plot degën fiku
dhe plot këngën plot dhembjen
koha e vargut
le të na e duan
së paku gjurmën
atë që bëmë njeherë
për të mirën e tjetrit
e vetëdijën e gjërave
dhe s’prish punë jetuam
sipas qëllimit të parë e të mirë
apo s’jetuam ashtu si e pamë ëndrrën
për ideale të larta, pse na e morën dardhën
në degën që s’arritem as ta prekim,
sepse ishte në pyetje atdheu,
i mi që më kërciste nervat
nëpër të vërtetën e thënë
i tyre që po ia shtrydhnin
tamblin e nënës,po ia hanin
deri në palcë kuptimin e tyre
sikur rendin etshëm zulutë
sepse pjesën e vet secili e merr
nga dega e tij,dhe shkon
i fryen ashtit dhe vetmisë
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen