Mittwoch, 12. Mai 2010

MË PUQ;POEZI NGA ALBINA IDRIZI


MË PUQ

Më puq pak në faqe
të lutem Manushaqe.

S’jam treguar kot
më i miri,
xhentëlmeni,
trimi.

Nuk e pata lehtë
në matematikë,
nuk e pata lehtë
të të lëshoj karrikë.

Grushtin hundës
e hëngra,
krejt pa meritë.

Më puq pak në faqe
të lutem Manushaqe.
--------------------------------
Ç’PO NDODH ME MUA

Ç’po ndodh, o babi,
kështu me mua,
sa herë shoh Zanën
zë në thua.

Saherë më flet
skuqem krejt,
nuk shoh as dëgjoj
fare përreth.

Nuk mund të flas
belbëzoj,
çdo fjalë që qes
e ngatërroj.

Më vjen të qaj
e të pëlcas,
në kupë të qiellit
të bërtas.

Të gjithë më njohin
për trim e lazdran,
kur jam me Zanën
krejt tjetër jam.

Ç’po ndodh, o babi,
kështu me mua,
t’ ka ngjarë dhe ty
a s’më thua?!
-------------------------
ME BABIN NË SHETI

Me babin në sheti
besoni, është kënaqësi.

Të dy njësoj
duart në xhepa,
fishkëllejmë
melodi t’lehta.

Kur ndonjë çupë
më shikon,
babi tinëz
më vështron.

Pa një pa dy
ngelet mbrapa,
të lidh këpucët, thotë
kanë fjongo të gjata.

Mua, çupa
më afrohet,
këmbejmë emrat
do të njoftohet.

Dhe për aq
sa babi vonohet,
me imela
puna rregullohet.
-----------------------
TELEFONIN UNË E MARR

Pritni, pritni pak
telefonin unë e marr.

Thirrja është për mua
është një çupë që unë e dua.

Është një çupë që mëson mirë
e ka pesë në matematikë.

Sa bukur reciton
lere më kur vallëzon.

Është e pastër dhe e mirë -
ta duash s’është vështirë.

Mami, babi, ju pse qesheni
s’ju ka ndodhur të pëlqeheni?!

Thirrja është për mua
është një çupë që unë e dua.



-------------------------------------
PROBLEM I ZGJIDHUR

Goni i vogël
pesë vjeçarë,
pyet gjyshen
kurreshtar.

Më thuaj, gjyshe,
ti ‘enciklopedi’,
si bëhet martesa
a bën ta di?

Si të gjej
nusen që më përket,
si të gjej
një grua vet?

Qeshet gjyshja
dhe përgjigjet,
s’është vështirë
kur di ”ligjet”.

Ligj nismëtarë -
ta pëlqesh me të parë,
ligj i dytë
ta duash me shpirt.

Dhe ajo
që do të përgjigjet,
poashtu
do t’i mësojë ”ligjet”.

Goni i vogël
ngrihet shpejt,
problem i zgjidhur
i duket krejt.

Qafon të ëmën
me dashuri,
dhe i thot
pa një pa dy.

Mami, unë
shumë të dua,
do martohesh
ti me mua?

Qeshet mami
e gjyshe ‘enciklopedi’,
për martesë
duhet tjetër dashuri.

Kur të rritesh
jeta do t’thotë,
të duash veç mamin
nuk mjafton dot.

------------------------------------
MAMIN E KAM SHOQE

Tok me mamin në shitore,
tok me mamin n’ëmbëltore,
bashkë në punët e shtëpisë
bashkë detyrat e shtëpisë.

M’ep pak sandalet me taka
t’jem mes shoqeve më e larta,
m’ep pak buzëkuqin taze
se do luajmë nuselale.

Me mamin bisedoj
për ″simpatinë″ i tregoj,
mos të na dëgjojë babi
mos të tallet vëllai Andi.

Mamin e kam shoqe.
-------------------------------
PA RREGULLA

Ëndërrova
një natë,
një botë pa rregulla
gallatë.

Nuk kishte fare
fillim e mbarim,
as njësh as pesë
në mësim.

S’kishte ditë
e s’kishte natë,
as fyerje
as lëvdatë.

U lodha shpejt
e u mërzita,
s’më shijonte gëzimi
e as frika.

U gëzova
kur më doli gjumi,
pa rregulla fare
do na mirrte lumi.
-------------------------
NUK E KUPTOJ

Nuk e kuptoj fare
gjyshen time shakatare.

Përherë habitet
e nuk i tregon vitet.

Kur s’është në disponim
thotë i kam njëqind.

Kur qeshet me hare
thotë, as dhjetë si kam ende.
---------------------------------
GJYSHE MUNDE KOHËN

Gjyshe, munde kohën
thotë i vogli nip,
ta përcjellësh modën
të jesh gjithmonë shik.

Flokët me ngjyrë
e pak briljantinë,
duart manikyrë
e në buzë karmin.

Do të të ndihmoj unë
do ta marrë detyrë,
s’do të njohësh veten
fare në pasqyrë.

Pastaj, do të dalim
bashkë në sheti,
gjithë sa na shohin
do t’na kenë lakmi.
------------------------------
GONI E GJYSHI SHTROJNË GOSTI

Ngrihet Goni
që më natë,
të hajë tinëz
çokolatë.

Kur ja, aty
te frigoriferi,
gjyshi Din
kullufitë reçelin.

Dhe atëherë
që të dy,
lidhin besë
për mostradhti.

Këmbëkryq
shtruan gostinë,
me çokolatë e reçel
sa u nginë.

Por e nesërmja
të dy i tremb -
nipit e gjyshit
barku u dhemb.

Vrik te mjeku
i dërgojnë,
me se e kanë tepruar
nuk tregojnë.

Motra Ritë
thotë s’është çokolata,
gjyshja Lilë
s’ ka reçel e ngrata.

Nisë mjeku
qesh e qesh,
shkaku i dhimbjes
u muar vesh.
------------------------
Ç’KA TË RE NË DIZNILEND

Ç’ka të re në
Diznilend,
Tomi dhe Xheri
nuk zënë vend.

Mendojnë
të bien në ujdi,
të mos ketë më
armiqësi.

Të ndalin luftrat
lidhën pakt,
të ftohen gjakrat
të pushojnë pak.

Po nuk zgjati
një ditë a dy,
Diznilendi mbet
pa fëmijë!

Ishte mërzi
po s’ shkonte ore,
Tomi e Xheri
dorë për dore?!

Që të dy
e panë qartë,
nuk ishin krijuar
për të qenë bashkë.

Ndryshe s’do kishte
të qeshura e risi,
Diznilend
e as fëmijë.
-----------------------
TË NDËRROHEMI NJË DITË

Të lutem mami
ndërrohemi një ditë,
ti të bëhesh unë
e unë të bëhem ti.

Flokët të ti lidh
në bishtalecë,
të të vesh
si dua vetë.

Në kurs matematike
lojën ta shndërroj,
e kur të lodhesh
vjersha të t’mësoj.

E të shohësh vetë
sa vështirë e kam,
e të bindesh lehtë
se dembele s’jam.

Marrë nga përmbledhja ËNDRRA ME YLBERË (a.i)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen