Montag, 20. September 2010

SIMBIOZA PROMETEIKE E DY ZËRAVE, I GAZETARES DHE I POETES

SIMBIOZA PROMETEIKE E DY ZËRAVE,
I GAZETARES DHE I POETES
 
 






Për ta bërë më të lehtë recensionin tim për “Gjurmë nëpër flakë”, pyeta një mikun tim poet, i cili në Amerikën e largët ka edhe mik shtëpie familjen Canolli. Kush është Makfire Canolli? Ai qeshi me ironi, duke më qortuar se mbiemri i saj i vajzërisë është Maqedonci. Ma mbylli me kaq. Ama unë nuk e kisha hallin se kisha ngatërruar mbiemrat. Pastaj ma dha dorëshkrimin e saj poetik, duke më dhënë përgjigjen me të.
Tek po shfletoja dorëshkrimin, me atë kureshtjen që kemi për gjërat që s’i kemi pasur në dorë kurrë, insistoja të merrja vetë, me një të hedhur të syve, përgjigjen që nuk ma dha poeti për miken e vet poete. “Ke harxh e bulmet mjaft”, m’u kujtua tash të më ketë thënë. Pastaj një zë aspak autoritar dëgjova sakaq: “Fillo punën”!
Patjetër se po ndihem mirë se po i hap rrugën librit “Gjurmë nëpër flakë”. Edhe po kaq po ndihem më mirë se në këtë rrugë po nis librin e parë të poetes Makfire Maqedonci – Canolli. Jemi në një festë e dyfishtë: Libri me poezi po shkon në dorë të lexuesve dhe autorja e tij me kërë libër po merr titullin e bukur “poete”.
Vërtet këtë titull Makfirja e kishte ndjerë në shpirt shumë kohë më parë, kur në një dritë qirinjsh në Prishtinë po shkruante vargjet e para, ose duke fjetur gjumë, fantazia poetike po i sillte në kokë ndonjë ide që mund të bëhej pastaj poezi e asaj nate, e cila, për poetët, quhet poezi e një nate pa gjumë. Dhe, jo vetëm një këso poezie e poetes, ende e panjohur nga lexuesit edhe në fushën e artit poetik, prej kohësh po priste të bëhej pjesë e gjurmëve të saj të para në këtë rrugë të vështirë.
Këto janë gjurmë të përflakura, jo vetëm thjesht brenda një metafore, por të përjetura në shpirtin e saj në të dyja anët e oqenanit, në Shtete të Bashkuar të Amerikës, por edhe në atdheun e saj, në gjysmën tjetër të Shqipërisë, në Kosovë, si do të shprehej vetë në njërën nga poezitë e vëllimit.
Më parë se poete, Makfire Maqedoncin – Canollin e njoha si gazetare, tek po lexoja një intervistë të saj, që e kishte dhënë për shtypin kosovar. Aty doli me prirje të dyfishta, e vlerësuar si poete e dhembjeve të mëdha dhe si zë i luleve. Prirjen e parë po e dëshmonte me tri poezi, me të cilat po shoqëronte intervistën. E para kishte titullin simbolik “Lot prej dheut”, e dyta “Lidhur me rrënjë”, kurse e treta “Hinm për gjakun”. Me njërin nga vargjet e bukura të poezisë së fundit, Makfirja gazetare po tregonte shenjat e para se në poezi kishte bërë një rrugë të gjatë e të thellë drejt olimpit të saj. Gjaku im vertikalisht po i quante çlirimtarët e Kosovës, të mbledhur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, të përkrahur nga forca çlirimtare të botës demokratike, çliruan vendin, duke larguar prej aty makinerinë serbe të gjenocidit, 11 vjet më parë.
Duke metaforizuar fjalën “gjak”, me të cilën është përmbytur thellë pothuaj krejt libri poetik “Gjurmë nëpër flakë”, luftëtarët e lirisë i quan shtizë të kuqe të pushkës, e cila, mes të tokës dhe reve të zeza, i jep sinjal Gjergj Kostriotit se po vjen dita e lirisë nga gjaku që po derdhin heronjtë e heroinat, jo vetëm të popullit shqiptar.
Të njëjtët flamurë poetikë që po shoqëronin intervistën, ishin edhe parashenja të tjera se nga po orientohej gazetarja në poezi. Nuk kishte nga të shkonte tjetër. Për gati dy dekada është bërë një Promete i lidhur me zhinxhirët e dhembjes së jetës larg atdheut. Me zërin e gazetares, jashtë dhe me zërin e poetes, nga brenda, ky mit tjetër buçet për të kaluarën e saj, për të tashmen, gjithashtu. Edhe brenda individuales është universi shqiptar, jo vetëm i vendlindjes së saj, por i tërë trolli historik shqiptar, edhe gjithandej ku “vetëm eshtrat flasin shqip”.
Të dy zërat, gjithnjë në një simbiozë prometeike, shpërndahen gjithandej tek jetojnë shqiptarët jashtë dy shteteve të tyre, Kosovës dhe Shqipërisë. Asnjëherë pa u ndarë, të dy zërat bëhen heroikë në emisionin e Radio - Diasporës nga vetë drithërimat e emisionit “Heroizmi i popullit tonë ndër shekuj”, të cilin e drejton Makfirja. Dhe, këto drithërima poetizohen në tërë pëlhurën poetike të librit, duke marrë flakë, duke u bërë gjurmë të thella nëpër të. Nuk kishte nga të dilte një titull tjetër për librin e saj të parë, pos titullit që ka “Gjurmë nëpër flakë”. Tepër më shumë e tepër më thellë se ky titull fet përmbajtja e librit.
Me prometeizmin i zërave, Makfirja shpërndan ëndrrat e jetës, zezonat e saj. Ato bëhen simbolike si vetë emri i radios, si vetë emri i përmbledhjes. Mbushen me dhembje e vuajtje, kur vijnë nga e kaluara familjare dhe kombëtare, por edhe individuale njëhohësisht. Edhe më pastaj kur artikulohen në vargje.
Mes dhembjes dhe krenarisë, zërat bëhen arkiv i kohës, përjetësi e saj. Dhe, nuk i referohen vetëm veshit. Zemrës dhe shpirtit më shumë. Edhe më e përbotshme: I referohen ndërgjegjes kombëtare dhe njerëzore. Pastaj kalojnë edhe përtej radios, por jo si vesë që mëngjeseve bie mbi barin e njomë. Por, atë vezullim të bukur mëngjesor e merr fjala e derdhur në vargje, sa herë ato zagushi të jetës në kurbet janë pak të thuhen vetëm me zërin radiofonik. Nuk thuhen vetën andej tek shpërndahen lulet nëpër vende të ndryshme të botës, por veshin tërë trollin shpiptar.
Ëndrrat, dhembjet, melankolia, heroizmi dhe dashuria, por edhe tema të tjera, janë prej mishit dhe gjakut të tij, si dikur kur ishte vajzë, si sot kur është nënë e dy vajzave. Dhe, janë këto dy vajza, të cilat i krahason me dy violina, që ia bëjnë shpirtin të bukur, i japin jetë.
Qoftë me një lexim të parë të librit poetik “Gjurmë nëpër flakë”, lexuesi nuk ka fare nevojë të kërkojë ndihmë për të ditur kush është autorja e tij. Nëse lexuesi është zgjuar keq atë ditë kur ka në dorë librin e poetes Makfire, si kur na del gjumi nga një ëndërr e keqe, sakaq muzika, e gërshetuar bukur brenda rimave të vargjeve, do ta bëjë të ndihet mire. Tëra ato serenada që ia do shpirti për moshën, e bëjnë tjetër, jo vetëm për një çast. Këtë shpirt, duke kaluar njëherësh përpara faqe të tëra të libri, e gjen në ciklin e fundit, posa lexon togfjalëshin e bukur “mali i dashurisë”. Ndonëse në fund të librit, në atë mal ka dëshirë të rrijë gjatë, të vallëzojë me gjethet dhe të shkundet bashkë me to.
Po kush nuk ik nga zinxhirët, nga gjaku, nga vrasjet, nga melankolia, nga pika në zemër… Makfirja nuk ik nga asnjëra prej tyre. Shpirti i saj ka brenda shpirtin që dashuron, shpirtin që vdes, shpirtin që jep jetën për jetën e tjetrit, për lirinë kolektive, për lirinë e atdheut.
Brenda, po aq thellë atij shpirti krijues femëror, është edhe shpirti vrasës që e ka armiku, në këtë rast armiku serb. Ai shpirt është në pjatën e parë të librit. E ka bërë të parë për faktin se ishte shqetësimi më i madh i kohës, në fund të shekullit të kaluar. Shqetësimi ishte planetar, jo vetëm për shqiptarët dhe Gadishullin. Pastaj shqetësimi tematik të mbërthen me forcën dhe egërsinë e tij me titullin, po ashtu të egër e frikativ “Jetë e lidhur me zinxhirë”, prandaj lexuesi i ëndrrës së keqe nuk ka faj se kërkon pjatën e fundit, mbushur me ëmbëlsirë.
Ëmbëlsirë që të bën të hidhur, të protestosh edhe kundër Zotit, janë poezitë për vdekjen e njerëzve të njohur e të panjohur, veçmas kur ata janë fëmijë.
Krenari e veçantë me dhembje janë tëra rëniet e dëshmorëve të kombit, jeta e të cilëve del e kthyer në jetën e lulekuqeve të Kosovës, të cilat mbijnë vetëm nga gjaku i të rënëve. Ritmi i shpejtë i vargjeve të bën të ndihesh në fushëbeteja të UÇK-së, përballë forcave serbe, ku, më parë se krismat, dëgjohet kushtrimi i legjendës së asaj lufte, Adem Jashari. Tëra këto poezi mund të lidhen në një tufë, për të bërë së bashku poemën e madhe të luftës çlirimtare të Kosovës.
Dhembje olimpike është edhe dhembja për vdekjen e nënës së poetes. Jo vetëm në një poezi flet me të si të ishte e gjallë. Asaj i ka përkushtuar tërë librin, duke bekuar që fjala e tij të bëhet dritë për të, kurse tërë librin e ka bekuar po ashtu si epitaf, jo gdhendur në mermerin e nënës, por në gurin e ftohtë që ka në shpirtin e vet për më të shtrenjtën, e tretur në dheun e atdheut.
Nuk desha të flas më shumë se për autoren, për librin e saj. Në këtë festë që e ka sot libri i saj i parë, vetë lexuesi le të arrijë frutat nga pemët. T’i shijojë në këtë ditëlindje e të mos kërkojë më shumë përgjigje nga unë se kush është Makfire Maqedonci – Canolli, se çfarë është “Gjurmë nëpër flakë”, si kërkoja unë në fillim nga ai poeti, pa njohur as njërën, as tjetrën.
Duke u hapur rrugë edhe poetes Canolli, edhe gjurmëve të saj nëpër flakë, besoj të paktën që arrita t’i njoh pjesërisht. Si lexues mbase më shumë e më mirë. Por, jo! Makfirja do të shkojë edhe më tutje me libra të tjerë, duke lënë gjurmë të tjera nëpër flakë.
Urime, Maki!
Marin KELMENDI
 Çaste me moderatoren e Radio - Diasporës, Makfire Maqedonci - Canolli, drejtuese e misionit për dëshmorët e kombit
Poetja e dhembjeve të mëdha, Makfirja e zërit të luleve
“Dëshmorët e kombit janë jeta jonë kudo që jemi, brenda atdheut, ose jashtë tij. Me gjakun e tyre ne po ndërtojmë jetën tonë politike e familjare. Radioja jonë i jep zë heroizmit të tyre ndër shekuj. Ky emision dëgjohet shumë, jo vetëm në diasporë, duke u bërë ura që i lidhë shqiptarët me trollin dhe me të kaluarën e tyre të lavdishme”.

Tashmë zëri i saj flet për të, për të kaluarën e saj, për të tashmen gjithashtu. Shpërndahet gjithandej tek jetojnë shqiptarët jashtë dy shteteve të tyre, Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe, ai zë nuk tregon vetëm zotësinë profesionale të gazetarisë radiofonike. Tepër më shumë. Me të shpërndahen ëndrrat e jetës, që bëhen simbolike si vetë emri i radios. Ato mbushem me dhembje e vuajtje, kur vijnë nga e kaluara familjare dhe kombëtare. Mes dhembjes dhe krenarisë, tingujt bëhen arkiv i kohës, përjetësi e saj. Dhe, nuk i referohen vetëm veshit, zemrës dhe shpirtit më shumë. Edhe më sipërane: ndërgjegjes kombëtare dhe njerëzore. Pastaj kalojnë edhe përtej radios, por jo si vesë që mëngjeseve bie mbi barin e njomë. Vetëm atë shkëlqim të bukur merr fjala e derdhur në vargje, sa herë ato ëndrra janë pak të thuhen vetëm me zërin. Nuk thuhen vetën andej tek shpërndahen lulet, por veshin tërë trollin shpiptar. Janë prej mishit dhe gjakut të tij, prandaj. Ashtu si ishte dikur ajo vajzë, ashtu si është sot kjo nënë, Makfire Canolli dhe Makfire Maqedonci. Por, askush nuk mund të flasë më mirë për të sesa ajo vetë.
- Po, thotë ajo, me një zë krejt tjetër, nga ai që na vjen me valë të radios. Më shumë pohon qëndrimi i saj, pamja, që nuk e shohim kur është prapa aparaturës radiofonike. Dhe, pa dashur të përfill rregullat e një intërviste, jeta e fëmijësisë së saj vjen e para.

Familja prej nga vini është një familje me merita të vecanta patriotike ,sepse dihet që 3 nga vëllezrit e t'u ishin të dënuar me burgim politik gjatë viteve '80 ,na tregoni diqka më shumë për kohën e atyre viteve si i mbijetuat ju dhe familja juaj keto katrahura?
Ofshan thellë, pastaj tregon:
Eh, ato vite! Nuk isha më shumë se 11 vjeçe, kur pushteti serb më burgosi 3 vëllezërt, pasi aktivitetet e tyre patriotike i ranë në sy. Po burgosej Kosova. Vitet ‘80. Po fillonte edhe një rilindje e popullit dhe atdheut tim. Nëna jonë nga dhimbja që e ndjeu në shpirt, jo vetëm për djemtë e saj, iku nga kjo jetë në prag të moshës 50-vjeçare. Pra, ishte tepër e vështirë ajo kohë, si është e vështirë tani ta kujtoj. Por, familja ime nuk ishte e vetme. Na mbanin gjallë morali i madh kombëtar dhe vuajtja kolektive e popullit tim, e Kosovës sime të dashur, kryeqyteti i saj, Prishtina, në të cilën u linda dhe u rrita. Aty qava e qesha. E shoh në ëndërr. Ëndërr e kam që një ditë sërish do të jetoj në Prishtinën time të bukur.
 
- Jeni larguar nga Kosova shumë vjet më parë në një kohë trazirash, kur populli shqipatr luftonte për mbijetesë dhe ishte i ndjekur nga regjimi serb, sa ju ka ndryshuar kjo shkëputje nga vendlinja?
- Jam larguar nga Kosova në një kohë kur populli shqiptar me anë të protestave përpiqej me çdo kusht të mbronte atë pak autonomi që e kishte. Pra, ishte viti 1991, kur lashë Kosovën për herë të parë dhe mora një rrugë të panjohur drejt një bote tjetër, që quhet botë e perëndimit. Nuk isha e vetme. Nuk mund të them se të qenit e degdisur më ka ndryshuar, por më ka vrarë thellë në shpirt, për vetë faktin se jeta në mërgim, larg atdheut, është sikur jeta e fëmijës që rritet larg nënës se tij.
- Po misioni që drejtoni në median tuaj, dashur pa dashur ju lidh me atdheun?
- Po! Por, jo vetëm kaq. Dëshmorët e kombit janë jeta jonë kudo që jemi, brenda atdheut, ose jashtë tij. Me gjakun e tyre ne po ndërtojmë jetën tonë politike e familjare. Radioja jonë i jep zë heroizmit të tyre ndër shekuj. Ky emision dëgjohet shumë, jo vetëm në diasporë, duke u bërë ura që i lidhë shqiptarët me trollin dhe me të kaluarën e tyre të lavdishme.
 
- Për vete artikulon shpirtin edhe me artin e të shkruarit, apo jo?

-
Arti i të shkruarit, që thua ti, ma ka bërë shpirtin më të qetë, jo vetëm tani që jam e rritur. Por që nga fëmijëria ime e hershme. Goxha shumë janë 19 vjet larg atdhut. Me poezi kam filluar, siç e di edhe ju, meqe jemi mike që nga fëmijeria, jam marrë qysh në klasën e dytë fillore. Vërtet kam filluar të bëlbëzoj poetikisht. Dhe, poezia ime nuk ka të ndalur as sot, edhe pse herë-herë vetë jeta në mërgim më ka detyruar të mos mund të shkruaj. Mirëpo, në zemër dhe në shpirt gjithmonë e kam pasur frymëzimin. Më ka ndihmuar shumë, sepse atë që e ndjej në shpirt, e them me artin e të shkruarit. Mërgimi të bën më të pasur me mallin e lotët që të shtrydh.

- Cila është më e veçanta?
- Është e vërtetë se qysh si fëmijë më janë vlerësuar poezitë e mia. Mbaj mend kohën kur festohej 40-vjetori i rënies se Boros dhe Ramizit. Një poezi timin kushtuar atyre, e dërgova të recitohej në Landovicë, që të konkurroja për poezinë më të mirë. E vërteta është se poezinë e tyre që i vura titullin "Gjeli im plak", më shumë e bëra për një lloj strategjie. Vëllezërit e mi ishin në burg. Mendoja me vete: Të bëj një poezi për Boron dhe Ramizin dhe le të mendojnë se ne nuk jemi irredentistë, ashtu siç po na paraqesin (qeshet). Pas 2 javësh erdhën në shkollë dy burra. Drejtori më thirri në zyrë. Unë kisha frikë se mos janë nga Sigurimi serb, por jo. Dy burrat po vinin nga "Rilindja" . Më sollën disa dhurata, një fanele me mbishkimin “RILINDJA” dhe 50 mijë dinarë të asaj kohe si shpreblim për poezinë time për dëshmorët e “bashkëjetësës e vëllazërin-bashkimit”. Poezia ime "Gjeli im plak" ishte shpallur me e mira ë Landovicë. Pra, kjo ishte një kurajo rë vazhdoja të shkruaja. Kurajo më dha edhe mësuesja jonë Zejnije Syla, kur ma botoi poezinë në “Rilindjen për fëmijë”. Sa nuk fluturoja nga gëzimi. Dhe tash që po e kujtojmë bashkë atë kohë, po ndihem mirë.
- Po tani kush është për ty një Zejnije tjetër?
- Oh, sa bukur u shprehët! Pyetja juaj më lidh me dy kohët. Tani më japin krahë të fortë poetët e ndryshën të shpërndarë nëpër diasporë. Me ta kam lidhur miqësi njerëzore dhe prifesionale. Pothuaj me të gjithë kam kontakte të përhershme. Më kanë përkrahur edhe moralisht. Edhe më shumë: Më kanë ofruar edhe përkrahje për botimin e dy librave me poezi, një për fëmijë dhe një tjetër për të rritur. Pastaj edhe të një libri prozaik. Kështu, ata presin nga unë sa më parë të botoj librat dhe të bëhem pjesë e Shoqatës së Shkrimtareve Sqiptaro-Amerikanë këtu në SHBA, e këtij shpirti të gjallë të shqiptarisë.
- Po jeta jote familjare?
 
- Jam nënë e dy vajzave të mrekullueshme, Donjetës dhe Dalinës, të cilat po tregojnë suksese të njëpasnjëshme, aty ku jetojnë dhe po shkollohen. Janë tërë pasuria ime. Pa to jeta ime nuk do të kishte kuptim. Janë të lidhura shumë me vendlindjen, për vetë faktin se e flasin gjuhën shqipe shumë bukur dhe mezi presin të shkojnë në Kosovë, sepse këtu ndiejnë thellë mungesën e ambientit kosovar.

 
- Diçka më shumë?

- Më lejoni të flas pak edhe me poezi! Ju falëmderoj shumë!
Lot prej dheut

Sa herë më quajtën mërgimtare,
Zemër e pikëlluar u bëra,
Ujitur me lot, lagur me riga gjaku,
Djegur me mallin e atdheut.
Dhe refugjate kur më thanë,
Nga gjoksi zemrën nxorra,
Të mos çahej e mbaja,
Me duar të buta vajze.
Mbuloja shpirtin,
Me plisa të dheut tim,
I bëja baltë, që
Të shkelja mjaltin e huaj.
Lulet më lironin helm,
Në blerimin e refuzues isha.
Shporruniiiiiiiiiiiii!
Më vinte të klithja,
Por atdheu ma shkelte syrin:
Mbahu!
Nesër një ditë tjetër vjen.
 

Lidhur me rrënjë

Ata zinxhirë Prometur të lashtë,
Nuk ishin tjetër veçse rrënjë njerëzimi,
Si këto rrënjë që mua
Ma mbajnë lidhur për atdheun,
Të mos harroj emrin tim Kosovë
Dhembjen ta ndjej bukur,
Sa më shumë që më shtrëngojnë ato,
Këndej e andej oqenanit.
Çdo fije rrënje më afrohet,
Si dorë gjigandi nëpër përralla dhe
Akoma pa më shtrënguar prometeisht,
Puth tokën time,
E laj shpirtin si me ujë si me dhe,
Zemrën më shumë.
Akoma pa dhënë shpirt,
Në varrin tim ka çelur një lulekuqe,
E vetmja lule që mbin nga gjaku.
Ajo lule ka emrin Kosovë,
Dielli i rri përmbi dhe
Dora ime i përkund djepin
E ëndrrave të mëdha.
 
Himn për gjakun
(Në vend të një kënge për luftëtarët e lirisë dhe UÇK-në)
Asnjë shtyllë nuk mund të mbajë
Peshën e lirisë si ju,
Gjaku im vertikalisht!
Mes tokës dhe reve të zeza
Ky flamur i kuq,
Në shtizën e pushkës,
Lidh tokën me diellin,
Gjergj Kastriotit i çon lajm,
Kosovën e kthen në kështjellë,
Në agimin e pavarësisë.
Dhe me gishta prej gjakut
U bie telave të jetës,
Në ikje të natës vonë.
E nënat mbushin gjinjtë
Me qumësht fëmijësh,
Kur Dirini i Bardhë ndalet pak,
Një lugë ujë ma derdh në ballë,
Ikën si neperkë e trollit shqip
Një litar i çon.
Tutje një daulle tund dheun,
E yjet si mollat nga degët bien
Nxitueshëm në tokën e arbërit.
“Jemi vonuar shumë”,
Njëri-tjetrit i thonë.                          

                                                intervistoi;Natyra B.Muhameti

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen