Biblioteka
Poezia
Redaktor
Ali D. Jasiqi
Recensent
Halil Haxhosaj
Ballina
Litografia
LIMAN ZOGAJ
LOJA MBI GURË
- Poezi-
Ndërmarrja shërbyese
“Jeta e re”
Prishtinë
2 0 1 0
MBI FLATRA TË SHQIPONJËS
DJEPI
Gjyshi e ka gdhendur
Me briskun maje thyer
Me dorëzën prej bririt
Vetëm për t`na përkundur
Mes flatrave të shqiponjës
KULLA
Në oxhaku me zjarrin e pashuar
Nëna piqte bukë mbi prush
Zgjohuni, na thoshte se dielli ka lindë
E qengjat le të kullosin në fushë
LOJA
Një lojë e luanim të gjithë fëmijët
Dhe ishte më e bardha botë
Ag e terr në lojë
Me këngë e buzëqeshje plot
LUMI
Ura nuk i lidhte brigjet
Vetëm një lis i prerë mbi lumë
Herë mbytej Blerina
Herë mbytesha unë
PSE
Kur i preni malet
Ka me shumë vetëtima
Rrufetë të zënë në diell
Mbesim pa kulmin e blertë
Pse nuk i shembeni binarët e ndryshkur
Trepçës i shiten gjymtyrët
Në pikë dite shkrihet ari plumbi...
Në secilin horizont
Leukimia e dheut herr
Deri në palën e gërryer
Pse nuk u bini daulleve
Ta luajmë “Vallen e Rugovës”
Veshur me tirq e xhubleta të bardha
OFSHAMË
Goli Otoku
As ujdhesë
As det
As tokë
Aty
Shkretëtira dhe ferri
Zinxhirët
Nëpër gjymtyrët eshtra
Plagë në trupat-shkëmb
Mbytur në gjakun e zogjve të dritës
Shungulluar nga ulërima
E lakenjve me zgjebe
Edhe lulet e kujtimeve
Digjeshin në fotosintezën e parë
Aty në varrin e zi ferr
Në Goli Otokun varre
Dhe ti o i mjeri
O i ziu Burrel
Pse edhe ti varre
Pse edhe ti ferr?
MIOPET NËPËR DRITË
Buzë kënetave
Do varre
Në urnat prej metali
Zogj me flatra të prera
Në klinikën pa kulm
Ku operohet nën diell
Kadareja e solli Lindën B
Me dhimbje në zemër
Me shikim thyer errësirës
Autorin e deh ofshama
Një aktor për Luftën e Trojës
Luan të shtatë Liqenet e Lurës
Dhe shtegun e dritës s’e gjen
Sa e gjatë kukama
Derisa edhe unë pëlcita
Bashkë me ofshamën
NJË JETË
Me shpirtin nëpër dhëmbë
As i gjallë as i vdekur
Engjëll me biografi
Të djegur në ballë
Fëmija bonjak dridhet
Përtyp bukë misri
Tharë e rritur dimrave
Furtunave të zeza
Nuk është pak
Një jetë
Me shpirt nëpër dhëmbë
Duke e pritur dritën
MALET
Degët e lakuara gjer në dhe
Do lule nën borë
Dhe një zog të ngrirë
E mora në dorë
Sa vite të egra
Malet kurrë s`janë herrë
Dimrave nuk u thanë
Bleruan në pranverë
Fola dhe me lisat
E lartë gjer në qiell
Po ta kisha unë këtë shtat
Kisha folur me diell
E DI
Lëkurën e daulles
E bëra fitil-fitil
Dhe e harrova
Melodinë e valles
Varrmihësi i engjëjve
Ma kërkonte ditën e varrimit
E puthte tehun e kazmës
Dhe lutej për vdekje të reja
Në ugarin e parë
Është thyer urëza
Kuajt pa fre lodrojnë
Troku çohet peshë
Malësori me motosharrën “Still”
I sakaton malet e brinjave
Ka harruar
Se e herr blerimin
SI NË ËNDËRR
U tremba
Kur ta pashë lotin në qepallë
Edhe unë qava
Si në ëndërr
Në natën e dytë
Humbe si ylberi nga gurrat
Sa gjatë e prita
Kthimin e pafund
Do lakuriqë
E copëtonin terrin e natës
Në shtratin tim
Vriste heshtja dhe malli
Nuk ka ikje më të largët
Se deri në harrim
Edhe nëpër magmën e vullkaneve
Ka dallgë që ngrijnë
LOTËT
Kush ma e vodhi foshnjën
Oh e zeza unë
Loti m’u beftë gur
E britma furtunë
Për trimin thotë dhe populli
“Të merr gjak në vetull”
E jo foshnjën e kësaj nëne
Me çarçaf nën sqetull
Pas pesëdhjetë viteve kthehet lumi
Foshnja s’kthehet burrë
Te Motra lotshterur
Te Nëna zemërgur
MË KA MARRË MALLI
(Zbrazët)
IKJA
M’u duk se ra tërmeti
Por toka nuk u dridh
M’u duk se prangat
E lidhnin edhe dritën
Por dielli nuk u lidh
DETI I ZI
A jam unë më korb
A ti o det i zi
Pse mbi valë më le
Kur vdes mërgimi në ty
VARRI
Si zog
Mbi Kullën e Ajfelit
As i vdekur
As i gjallë
Kurrë mërgimeve
Nuk desha djep
As sot nuk dua varr
MË KA MARRË MALLI
Për pak ujë nga krojet
Për blegërimën e qengjave
Për lojën e fëmijëve në fushë
Për fyellin e këngëve maleve
Për sofrat e shtruara odave
Për flakën e prushin në oxhak
Për krismat dasmave
Për lotët në vdekje
Për bekimet e nënave
Për buzëqeshjet e vashave nën qershia
Për një vrap me kalin pa jele
Për ogiçin brirë dredhur
Për gurgullimat e krojeve
Për agimet në vatër...
Ah
Sa më ka marrë malli
KËNGA E GURRAVE
Në malet me ahishte
Buronte një gurrë
Me ujin si loti
Këndonte nëpër gurë
Te shkëmbi i bardhë
Punonte dhe mulliri
Te blini i lartë
Këndonte dhe bilbili.
Sa i gjatë ky lumë
Sa Drini e Buna
Sa këngë me valë
Sa e fortë furtuna
DETI
Hyra në ujë
Në rërë
Desha ta shkrehi dhimbjen
Por prapë
Ajo ma zë frymën
Deti krejt ujë
Krejt valë-valë
Unë krejt dhimbja
E bashkë krejt mall
LOT MBI ARKIVOL
Një ditë kthehem
Nuk vonohem
Në pranverë a nëpër borë
Jam verbuar e s’e gjej shtegun
Plagë e rëndë m`ka ra n`kraharor
Mos m`i thoni Nënës Loke
Ka do vite dergjem në spitale
Nuk e la pa ardhur te Nëna
O i vdekur o i gjallë
Prit e prit
Nuk erdh pranvera
Kurrë nuk ngrohu dielli mirë
Mërgimtari e mbajti fjalën
Në arkivol erdhi i shtrirë
UNË KTHEHEM
Nuk e di
Por kthehem
Herë si hije
Herë si rreze
Unë zogu i sakatuar
Nga rrufetë e shkretëtirave
Jam shtegtar pranverash
Në diskun e kujtesës
Janë rrënuar arkivat digjitale
Mbaj mend
Vetëm kthimin
BETIMI PARA DHEUT
Herë gur
Herë zog
Shqiponja në lapidar
Lavdinë ia fal dheut
Pirrë-pirrë
Llamba e neonit
Mbi poezinë “Dielli”
Derdhet mall toke
Ika në Detin Marmara
As dashurisë as vdekjes
S’i bëra procesverbal
Me valixhen e pikëllimit
Mbi supe
Kthehem duke i lidhë plagët
Pranë strehës varr
NË SHEKULLIN MODERN
Në këtë shekull modern
Luleve në pranverë u bien petalet
Në dimër blerohen të ngrira
Kush e di në mërgim
Si do të pagëzohen
Fëmijët rrugët lashtësia betejat
A do të shemben digat
A do të ketë tërmete.
Nëse unë eci vertikalisht
Por keq duke çaluar
E ti me kukëzat patentë
Kam frikë
Se më thërrasin pakurrizorë.
Toka krejt akull
Në qiell përvëlon
S’e di këtu në kurbet
Në cilën epruvetë të ngujohem
KUJTIM
Eci vertikalisht
Shtylla kurrizore e tokës
Lëngon nga operimi pa opium
Në pesë unazat e shtatit
E di
Edhe kur u nisa
Edhe kur humba
Për së gjalli e kam kujtim hirin
Te Buna
E piva një gllënjkë ujë
E mësova këngën e valës
E mora kujtimin për detin
Nënë
Një ftua
Një lule dhe lotët
I ruaj kujtim
I MORA ME VETE
I mora me vete
Bukë kripë e kujtime
Tri herë e putha pragun
Atë pragun e kullës sime
Për kujtim e mora
Një asht një pendë e një shpatë
Të mos e humbi shtegun
Errësirës nëpër natë
Oh me vete i mora
Një lapsë e një flamur
Ta di se nga jam
Në det dhe në gurë
Me vete e mora
Dhe hartën copë-copë
Pesë gjymtyrë me trupin
T’i bashkoj në Evropë
SY MË SY
A është dallgë e detit
Apo pluhuri i harrimit
A është puhi në shkretëtirë
Apo ofshamë e mërgimit
A është ky fundi
Apo ky është fillimi
Sa i zi Deti i Zi
Sa i bukur Drini
A është vdekje kjo
Apo kjo është jetë
Mos jam bërë memec
Apo vetëm kam mbetur
O a është kthimi im
Apo është humbja jote
A unë humba apo ti ike
Skutave të kësaj bote
Nuk e di për ndarjen
As sot nuk e di
A më shikove në ballë
A të shikova në sy
OAZA PREJ QELQI
E mbusha me ujë
Te Kroi i Gurit
Lulet do t’i mbledhë
Fushave të vendlindjes
Uji u bë
Gutacion në gjethe
Oaza epruvetë
E luleve pa rrënjë
Pres e pres
Por nuk blerohen lulet
Pa rrënjë me kërcellin e prerë
Në oazën time të thyer
PRANVERA
E dua
Për blerimin e fushave
Për ngjyrën e luleve
Për blegërimën e qengjave
Për këngën e bilbilit
Pranvera
M’i shkreh akullnajat
Varur në shpirtin e plagosur
Gjakun e ngrirë damarëve
Lulebora më bëhet lajmëtare e rrezeve
Edhe ajo ishte pranverë
Buzëqeshjet m’i herri nga buza
Kënga m’u bë gjëmë
Loti m’u bë rigë
Stinë e dashurisë së djegur
ËNDRRAT NË PRITJE
Si një laborator
Me epruveta të thyera
Në dhomën time thyhen
Ëndrrat pritjet
Në shtratin e gjumit dehem
Sepse njëherë
E kam hequr numrin te porta
Dhe s’e gjëja kullën time.
Kam frikë
Se e humb ekuilibrin e kockave
Dhe e thyej me guri
Oazën prej qelqi
LOJA MBI GURË
LOJA MBI GURË
(Aktorëve lladrocas)
Skena te “Shkëmbi i Bardhë“
„Arbëri nuk vdes“ LZ shfaqej premierë
Aty loti u bë këngë
Aty kënga u bë pranverë
Spektatorët duartrokitën gjatë
E malet larg ushtuan
-Arbëri nuk vdes thërrisnin aktorët
Do korba u tërbuan
Xha Dani e kaloi lumin
Erdhi lart mbi gurë
“Sot edhe shkëmbi foli shqip
E ylberi u bë flamur“
Deri në agimin e bardhë
Bukë e kripë në sofër
Për burrat e lirisë
Lladroci u bë vatër
HARRIMI
Shtatë Liqenet e Lurës
Nuk shterin
Të dashuruarit
Lajnë sytë e skuqur
Në Shpellën e Gadimes
Dashuria ruhet edhe e ngrirë
O Zot
A kanë shpirt të gjallë.
Në Kalanë e Krujës
Zogjtë paskan bërë fole
Për të mos na mbytë
Harrimi
NË MES
Në mes këngës dhe vajit
Guri dhe deti
Unë bonjaku i rrebesheve.
Ylberit cili planet
Ia paska falur ngjyrat
As gurrat s’i shter
Vetëm shtati të mos i vyshkët.
Në mes ujit dhe flakës
Loja me zilen e djallit ters
U flakërova
Edhe në natën plot yje
LAPIDARI NËN DIELL
Në pentagramin e vjetër
Si yje të përgjakur
Shkronjat gjuha lashtësia
Kënga krismat liria
Sot dje me shekuj
Në pesë cepa të kësaj toke
Plotë me gjak e diell e varre
Bekim i kësaj Evrope
Në kaptellët e djepit
Në epitafin e varreve
Krenari e qëndisur
Shqiponja e pa fjetur
Jeho o këngë
Ledhato brazdat e ballit
Të shokut tim dëshmor
Në atë lapidar prej guri
PO
Në portat e zemrës
Një krismë
Një dridhje
Bukuria që vret erdhi
Dallgë-dallgë deti
Gurë-gurë shkretëtira
Kam frikë
Se na mbytë mëria
Tokën e kam
Edhe kullën
Edhe lirinë
Breza hyni në valle
Edhe hieroglifët
Bulëzuan nga hiri i përgjakur
Dhe krejt kjo
S’është beteja e fundit
Fosilet
Nëpër rrënjë u lidhën zinxhirë
Mos t’i merr era
E t’i bëjë hi në shkretëtirë
METEOR DRITE
(Dëshmorit Habib Zogaj-ARBRIT)
Syri yt Arbër
Si sytë e shqiponjës
I bukur si ylberi
Mbi lumin e Valbonës
Lavdi e Lirisë
Gdhendur dhe në gur
Shtat e dorë e Arbrit
Shtizë e shtat në Flamur
NË TIVAR
Plumba në gjoks
Thika pas shpine
Shqiptarit
Korba dhe xhelatë
Gjaku rrëke
Tivarit
Por lindëm përsëri feniksë
Dhe sot jemi të gjallë
O korba të zi
O i kuqi Tivar.
Të rënëve lavdi
Lavdi gjer në diell
Xhelatëve tradhti
Tradhti gjer në ferr
LULËKUQET MBI VARRE
Malësori me xhubletë
Mbi supe plotë halle
Ndali pak haprimin
Te mali me tri varre
Si ylber i rrinte shalli
Heq xhurdinë e la mbi gurë
Tri lulëkuqe la mbi varre
Mbi tri varre la flamur
Oshtimë nga shkëmbi erdhi
Tri lule tri kurorë
Tre engjëj drite
Tre trima tre dëshmorë
1999 DIMRA
Djerrina e Bllacës
As teatër
As varr
Blerina i binte një kakute si fyell
Flakoni këndonte këngën
“Oj molla e kuqe
A ma gjen një nuse”
Në djerrinë
Mbi kasollet e najlonit
Shiu plumb shembte kulmet
Engjëjt dhe yjet
Sy me sy
1999 dimrat u thyen
Terri u bë dritë
Krisma e maliherit
Natën e bëri ditë
KLASA E IV 16
Deri në atë vatër
Ecnim nëpër gurë
Errësira nën diell
Thyhej mbi flamur
Si një qiell me diell
Si yje polarë
Në shtigjet e dritës
Skalitur me ar
E IV 16
Kërkonte liri
E flaknim errësirën
Për do dritë në sy
E PRITA
Nëpër shekuj
Mbi hirin e zjarreve kurrë të fikura
Edhe foshnjat belbëzonin
Atdhe toka ime
Që tremijë vjet
Drenica i nis dasmat me krisma
Kosovës ia përkëdhel ballin kënga
“Thërret Prizreni mori Shkodër”
Te Ura e Fshejtë
Ajkuna flet me zërin e gurrës
Aty shërohen miopët
Me himnin “Pak dritë të lutem”
E prita
Për secilën pikë gjaku
Edhe poeti e pagëzoi kryeveprën
“Pavarësia ime”
BIOGRAFIA E DRITËS
Nga dëftesa e kallur
E hoqa pak shkrumb pak hi
Si fanar pas mjegullës
Rrezatonte shkronja D
Shkretëtirave
I lashë shatë palë lëkura
Te një gur
E skalitur shkronja R
Në aeroportin e ri
Udhëtarët kishin marramendje
Horizontin e tundën duke u përkundur
Piloti mbante inicialen I
E puthëm tokën
Si bukën
Prej sot betohem në dhe
Dalja ishte te shkronja T
Në kullë
Era e shfletonte
Një libër
Që u hap te shkronja A
HESHTJA U BË KRISMË
(Aktorit Bekim Fehmiu)
Edhe në skenat plot mjegulla
Mbledhësi i puplave
Kthehet në vatër
Hi ylber diell
Një jetë të tërë
E mbajte peng dashurinë
Për një copë urnë
Për gurgullimat e Lumbardhit
Në teatrin kafaz prej hekuri
Luaneshës ia mësove gjuhën e hyjnive
NUK VDES
“ARBRI” H Z e mbron Arbrin
Arbëresha mbi një gur
Këmishën e përgjakur
Do ta bëjë Flamur
DASMA
Me këngën e krismave
Vasha bëhej nuse
Toka edhe lulet
U bënë të kuqe
KËNGA
Dil shikoje Nëno
Një skifter të gjallë
Bashkë me rreze drite
Ngrihet në lapidar
DRITA
Kur e nisen luftën
Arbri dhe Ismeti
Pse Luzhnicë u dridhe
Si me të ra tërmeti?
SHQIPËRIA
Do gjymtyre t’i prenë
Me shpatë e me thikë
Por sot mblidhi krahët
Sepse terri t’u bë dritë
BASHKIMI
Njëri nga Lladroci
Tjetri nga Kumanova
Herë thërrisnin Shqipëria
Herë thërrisnin Kosova
VLORA MË 1997
Dikur kështjellë burrërie
Dasmorë me Flamur
E sot
Pse e përgjakur Vlorë
Pse të rrjedhë gjaku gurrë
Lokemadhe mbahu
Rrënjë e shtat Shqipëri
E kuqe nëpër terr
Me gjak në liri
Kush të sjellë tërmete
Në stinën me behar
Ai djalli që do varre
Ai s`të do të gjallë
Por nuk shembet Korabi
Me shtatin gjer në diell
Nga gjaku i lirisë
Lulëkuqe në pranverë
KUR ...
U përkula gjer në tokë
E putha e qava
Si i dehur belbëzova
Të falem o dhe!
Te “Syri i Kaltër”
Lisa të vrarë nga rrufetë
Thirra gjer te retë
Të falem o diell!
Kur i lexova do germa në gurë
Loti m’u bë rigë
Nëpër shkrumbin e buzëve ofshana
Ju falem o varre!
VIOLINA PA TELA
Pse të ka vrarë heshtja
Si qyqe mbi ferra
Pse s’ma vret vetminë
Violina ime pa tela
Kamertonin e mbyt pikëllimi
Shpirti një këngë pret
Në cilën notë t’u dogj melodia
Heshtja sa më vret
E sa kohë e egër
Syri dritë nuk ka
Unë dhe violina
Me dhimbjen sa kala.
As harku nuk hingëllon
Në violinën pa tela
As dielli më nuk ngrohë
Pres e pres pranvera
NËPËR DALLGË DASHURIE
ALGE E BLERTË NË GUR
Unë jam personazh te „Titaniku“
Që lutesha
Të shterin detet
Të bëhem alge e blertë në gur
Unë jam stalaktit i zvarrë
Edhe stalagmit i thyer furtunave
Duke i brejtur me dhëmbë shekujt
Deri te puthja prej flake
Unë jam në Detin Marmara
Duke e kërkuar dashnoren syshkruar
Ikur nga dasma
E martuar me valët
Unazën 585 e le të varur
Te lisi i thyer
Të njomur me lotët e turbullt
Dhe bëhem alge e blertë në gur
KAM FRIKË
Kur ec
Udhëve me kalldrëm
Le të thyhen taket
Në hapin e gabuar
Kur ka erë të fortë
Kam frikë
Mos t’i merr gërshetat
E bëhesh ylber
Sonte
Lutem të bjerë shi i madh
Nëpër dritën e vetëtimave
Ta gjej emrin te porta prej druri
Kam frikë
Se vërshohen fushat
Na humb kashtën nën qershi
Atë shtratin e kujtimeve
Kam frikë
Se nuk takohemi
As në Detin Marmara
E rrënohet Ura e dashurisë
I NDEZA DY KANDILA
Pres të pres
Kur do të trokasësh në portë
Më zuri frika se ke humbur udhën
I ndeza dy kandila për dritë
As natën e dytë nuk erdhe
E kujtova fatin e Rozafës nën gurë
Njëmijë herë u luta
Ta shuash etjen te Ura e Fshejtë
Sonte pres e dridhem
Kam frikë
Për kohën kur duheshim dikur
Dhe i ndeza dy kandila për dritë
Kam frikë
Se mos po ngujohem
Nën strehë
Rituar nga riga loti
UNË DHE LULJA
Lule mori lule
Sa mirë paske çelë
Po në shpirtin akull
Pse s` vjen pranverë
Lule mori lule
Pse ke ra për dhe
Isha me buzëqeshje
E buzëqeshja m’u pre
Petalet t’i mblodha
U bëra pelin
Plagë e trup i paske
Si Atdheu im
METEORI I DRITËS
Do shtëpi përdhese
Mbuluar me terr
Mësuesi meteor
Kërkonte pranverë
Shkollës i hap portat
Të mbushën plotë dritë
Mësuesi meteor
Në diell i mban sytë
Udha si në ferr
Mbi lumë asnjë urë
Mësuesi meteor
Nuk pajtohej kurrë
Përtej do shkëmbinjve
Të qarë si me thikë
Mësuesi meteor
Shikonte do dritë
NËPËR DALLGË
Kënga e gurrës përkëdhel malet
Ecja zbathur në atë gur
A e sheh biondinën time
Dy gërsheta i mban mbi shpinë
Më tej deti plot me dallgë
Lot i rëndë më ra në sy
Mos je bërë nuse me valën
Mos po luajnë këto dallgë me ty
Si fëmijë i lemerisur
Kur me vaje të thërret në emër
Në atë gurin në buzë të detit
Krejt memec por thirra zemër
Ushtoi deti shkrepat malet
Zëri yt jehonë në qiell
Kur thirre shpirt e zemër
Ikën retë e doli diell
BRIGJET
Mbrëmë të prita
Thashë
Mos është rrënuar ura
Që lidh brigjet
Statujë e gjallë u bëra te pragu
Vetmia u bë shungullimë nate
Kujtoj fatin e Rozafës
Nën gurë
Të pres
Edhe një shekull
Kam frikë
Se ma vret dashurinë
ME DRITËN E YJEVE
Në urnën e parë
Bukuria e jote
Dhe malli im
Bleroheshin nga hiri
Sot e mësova
Në takimin me ty
Prushin e zjarrit
Flakën e dashurisë
Mos ik syzeza ime
Harrimi është krejt si vdekja
Vetëm hijet bëhen portrete
Me anemi në buzë
Sy me sy
Takohemi
Në planetin
As tokë as diell
E DI SE
Mos e lexo
Biografinë e Van Gogut
Bota dëgjohet edhe me zemër
E di se në vetmi bëhesh hiri
I shpirtit që digjet
Në shtratin e blertë
Rritet lulja e kujtimeve
Me lot e mbush akuariumin
Të notosh nëpër valë dhimbjeje
I nënshkruaj edhe dy vdekje
I thyej edhe oazat e gëzimit
Vetëm
Të bleroshet lulja e dashurisë
Ndoshta shtrigat e natës
Të morën në lojë
Buzëqeshjet
Nëpër vërshime dallgësh
NËPËR DALLGË DASHURIE
Nuk e di
Cilat nota t’i shkrehi
Në pentagramin
E këngës së vajtimit
Cilat fjalë t’i them
Kur nuk je në kullë
As nuk pëshpërit
Për vetminë dhe parajsën
Mos më shpëto
Edhe nëse mbytem
Duke e kërkuar unazën e këputur
Nëpër dallgë dashurie
A JE
A je zog
Te lumi i thatë
Apo ku e mësove
Heshtjen e këngës
A je lule
Apo fotosinteza e dritës
Ta bëri bukurinë
Krejt nur
A je ylber
Apo ku e mësove
Zërin e gurrave
Ku shkrehen dashuritë
A je rrufe
Apo ku i mësove
Krismat e gëzimit
Kur lindin foshnjat
A je engjëll apo ...
Pse ma mësove
Dhimbjen
Dhe ofshamën për ty
DIALOGU I FUNDIT
Më shikon në sy
E thua me inat
Nuk jam e bukura e dheut
Dhe ik
Lufto
Derisa të thyhen shpatat
Dhe lidhemi me kërpnaja malesh
Unë humb si hije
Gabim
Njëmijë herë gabim Besa
Kurrën e kurrës s’ të le
S’ kam parë bukuri më qiellore
Dhe u shkreha në gaz
Në buzëqeshje diellore
LULEDIELLI
Nëse të duhen
Shkëndija drite
Edhe në ferr
Merr nga shpirti im prush
Biografia e vullkaneve
Është zjarri
Loti im
Ngrirë në bebëza
Mos e thyej
Vazon prej qelqi
Shikoje lulediellin
Nëpër dritë
11^2
NATA
Në cep të dritares
Një yll ndriçon
Vetëm një sy gjumë bëra
Krejt ëndrra bukuria jote
Në shtratin me pupla të bardha
U deha nga dhimbja
Krejt nata
Vaji im
Edhe pas ëndrrës së keqe
Nuk gjeta strehë nën flokët tu
Do lulebore
T’i solla në shtratin varr
UNË E DI
Biografinë tonë
Mbuloje me borzilokun e thatë
Nuk jam vetëm
Me vaj në buzë
Kam veshur kostumet e bardha
Të bëhem dhëndër si Romeo
Si kandili i Naimit të digjem
Shtegun ta kesh me dritë
Unë
Jam Sizifi memec
Me guri në qafë
Me diell pas shpine
Unë
Shkrumbohem
Nëpër dritën e kandilit që digjet
Kallën buzët moj Era
IKJA JOTE
Kur kositeshin livadhet
Unë merrja ujë me buri
Ti ma zure shtegun
Ti Era ma bëje me sy
Rrushi ishte pjekur në vreshta
Unë ta fala një kalavesh rrushi
Aty m’i puthe sytë
Atëherë më dogji prushi
Era kurrë s’u pamë
Skutave të kësaj bote
Ah si më djeg ai zjarr
Ai prush nga buza e jote
NËSE E DASHURON POETIN
Nëse e dashuron poetin
Thyeje pasqyrën e gjatë sa trupi
Bukurinë e syve
E gjen në vargun e parë
Nëse e dashuron poetin
Mësoje akupunkturën e dhimbjeve
Në secilën shkronjë
Portreti yt kallet
Nëse e dashuron poetin
Mos e kërko
Në mobilin pa numra
E fton kënga e vargut
Nëse vdes poeti
Mos e qaj
As një pikë loti
Mos e derdh për të
Ai ka vdekur duke kënduar
TAKIMI BUZË DETIT
Dy lot m’u rrokullisën
Si gurrë nëpër faqe
Ishin këngë nga zemra
Për ty moj tiranase
Kur kalova detin
Peng më mbet një mall
Ai zëri kur më thoshe
Djalë more djalë
Shpatet plot ullinj
Kopshtet dardhë e molla
Buzëqesha si me hënën
Me vashën nga Tropoja
Anë me anë ranë rreze
Rreze dhe mbi gurë
Vëlla e motër në valle
Në valle me flamur
PËRTEJ DETIT
Të shkrova vargje
Prozë dhe elegji
Për fytyrën si dielli
Për dy sytë e zi
Të thura dhe këngë
Kam frikë se gabova
Pse ma bëre vaje
Këngën që këndova
Dhe kur të mallkoja
Thashë mos raft as mbi gur
Unë humba tej detit
E ti s’më thirre kurrë
Sytë kurrë s’ m’u thanë
I ka përlagur loti
Ani pse s`më flet
Unë them të ruajt Zoti
LULEBORA
Lule mori lule
Me atë shtat të hollë
Si s’të thyen era
Si rritësh nën borë
Edhe ti e bardhë
Por pranverë sjellë
A gëzohesh si unë
Kur rrezon ai diell
Lule mori lule
Dhe e ngrirë nën akull
Na thua e buzëqeshur
Diellin e keni afër
ANI MORE ANI
Derën e lashë hapur
Të prita mor burrë
S’paske lëvizur nga shtrati
Qenke bërë si gur
Ani more ani
Jemi kështu si jemi
Po s’i mbollëm lulet
Ferra do të kemi
Kopshti si shkretëtirë
Sofra do jetë thatë
Kot i lëpinë buzët
S’do kërkosh mjaltë
Ani more ani
Mos harro këto fjalë
Pa punë nuk ke dritë
Djalë more djalë
NUK JAM UNË
Nuk jam unë krejt vargu
As shpirti i djegur
As s’e dashurova Besën
Por Besarti ma pikëlloi lapsin
Nuk jam unë ai vreshtari
As nuk vjela rrush
Por te penda ime qau
Unë ai dikush
Nuk qesha unë tërë jetën
Por mbjella buzëqeshje për ty
Dashurova edhe unë dikur
Atë me sytë e zi
Unë nuk jam i tëri
Si në vargun e ri
Por unë jam shpirti yt
I djegur për ty
Unë jam vetëm unë
Me shpirtin pa mur
Pa ty jam vetmia
Në vetmi jam gur
BEGATITË TEMATIKE DHE FIGURATIVE TË POEZISË
Ambienti rurale me të gjitha begatitë e saj, duke filluar nga burimet e ujit të freskët, blegërima e qengjave, loja e fëmijëve, bashkë me fyellin e bariut gjer ke agimet në vatër – janë disa nga subjektet lirike të poezisë të përmbledhjes “Loja mbi gurë” e poetit Liman Zogaj, duke shpreh kështu një nostalgji për të kaluarën jo të largët. Autori vazhdon t’i numërojë edhe disa objekte të kësaj natyre siç janë: sofrat e shtruar në oda, flaka e prushit në oxhak, krisma e dasmave, lotët në vdekje, bekimet e nënave, buzëqeshjet e vashave nën qershi, një vrap kali pa jele, ogiçi bri dredhur, gurgullimat e krojeve dhe së fundit agimet në vatër. Kjo nostalgji hetohet edhe në disa poezi të tjera. Dhe jo vetëm kaq. Poeti angazhohet edhe për trajtimin e shumë çështjeve dhe probleme që e preokupojnë njeriun tonë dhe botën e tij të brendshme. Kjo bie në sy në të gjitha poezitë e tij të ndara në katër cikle, sipas motiveve që trajtojnë ato: ”Mbi flatra të shqiponjës”, “Më ka marrë malli”, ”Loja mbi gurë” dhe “Nëpër dallgë dashurie”. Siç shihet edhe nga vetë titujt e cikleve, subjektet lirike të kësaj poezie janë të larmishme. Janë këto krijime frymëzimesh sa subjektive aq edhe shprehje e botës njerëzore, që do të thotë se poeti synon thurjen e vargjeve që nuk kufizohen vetëm në botën e vet të mbyllur, por ato frymojnë edhe për atë të përgjithshme.
Vargjet poetike të këtij poeti gjejnë frymëzim në tema të preferuara siç janë, bie fjala, e kaluara me të gjitha traumat që ka sjellë nëpër valët e jetës, pastaj poezitë për problemet e përgjithshme, ato ku i këndohet luftës dhe lirisë dhe së fundit poezitë e dashurisë.
Për Liman Zogajn tema e mërgimit është burim i pashtershëm i frymëzimit, si edhe tek shumica e poetëve të tjerë, e sidomos e atyre që jetojnë dhe krijojnë në kurbet. Kjo plagë e shoqërisë sonë sjellë edhe tragjedi në familjet e mërgimtarëve:
Kurrë mërgimeve
Nuk desha djep
As sot nuk dua varr
(Poezia: “Lot mbi arkivol”)
Ose
A jam unë më korb
A ti o det i zi
Pse mbi valë më le
Kur vdes mërgimi në ty
(Poezia: “Korbi”)
Duke medituar për çështje të ndryshme, poeti Liman Zogaj, vjen te përfundimi se lufta është e tmerrshme, por nganjëherë është shpëtimtare për njerëzit qe kanë vuajtur nën okupimin e armikut. Kjo ndodhi edhe në luftën e fundit kur hordhitë serbe ikën me bisht nën këmbë sepse:
1999 dimrat u thyen
Terri u bë dritë
Krisma e maliherit
Natën e bëri ditë
(Poezia: “1999 dimra”)
Në këtë vazhdë ai do të këndojë edhe për luftëtarët e patrembur që ranë në altarin e lirisë për të mbetur të pavdekshëm, si bie fjala, Habib Zogaj – Arbri, të cilit i është kushtuar edhe poezia “Meteor drite”.
Edhe një temë tjetër behët frymëzim i poezisë së autorit të përmbledhjes “Loja mbi gurë”. E kjo është çështja e bashkimit kombëtar shqiptar, ëndërr e vazhdueshme e popullit të ndarë në disa shtete. Madje një poezi e tij edhe është titulluar “Bashkimi”:
Njëri nga Lladroci
Tjetri nga Kumanova
Herë thërrisnin Shqipëria
Herë thërrisnin Kosova
(Poezia:”Bashkimi)
Për të dëshmuar kështu se kjo ëndërr një ditë do të behet realitet, gjë që është e pashmangshme në të ardhmen.
Në ciklin e fundit të këtij vëllimi poetik të poetit Liman Zogaj i gjemë poezitë në të cilat i këndohet dashurisë, kësaj temë të pashtershme për të gjithë poetët e të gjitha kohërave dhe vendeve. Për këtë autor dashuria është e shenjtë, është diç që të tronditë, diç që të kallë dhe nuk të lenë të qetë:
Sonte
Lutem të bjerë shi i madh
Nëpër dritën e vetëtimave
Ta gjej emrin te porta prej druri
( Poezia: “Kam frikë”)
Poezitë e kësaj përmbledhje janë të shkurta dhe koncize, të thurura me metafora dhe figura të tjera. Të gjitha këto e bëjnë këtë poezi të lexueshme dhe të kuptueshme për të gjitha shtresat dhe moshat e lexuesve.
Prishtinë,
Tetor, 2010. Ali D. Jasiqi
SHËNIME PËR AUTORIN
Liman Zogaj lindi më 1960 në fshatin Lladroc të Kosovës. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme – Drejtimi Biologji-kimi, e mbaroi në Ferizaj. Ka studiuar letërsinë dhe gjuhën shqipe në Fakultetin filologjik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë.
Me krijimtari letrare filloi të merret që nga shkolla e mesme, duke i botuar krijimet e tij në “Rilindja”, “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, si dhe faqet e gazetave dhe revistave të tjera. Poashtu ka botuar shkrime poetike edhe në revistat dhe gazetat e kohës në Shkup, Shqipëri, e tjerë.
Limna Zogaj shkruan poezi, pjesë teatrale, por merret edhe me gazetari dhe regji. Tekstet teatrale dhe regjit e bëra nga ky krijues janë interpretuar dhe janë shpërblyer në festivale serioze teatrale në Kosovë.
Që nga viti 1983 j3ton, punon dhe krijon në Gjermani, ku ka themeluar dhe ka udhëhequr vatra kulturore të mërgimtarëve tanë bë: Shvelm, Enepetal dhe Essen, për ta begatuar jetën kulturore për shqiptarët e mërguar. Tash e disa vite Liman Zogaj aktron në Teatrin Gjerman në Essen.
Krijimet poetike të këtij poeti janë prezantuar në Antologjinë e poezisë me titull “Metafora e arratisur”, botuar në Tiranë më 2003, si dhe në Antologjinë “Asht e gjak Arbërie”, botuar në Gjermani në vitin 2007.
Liman Zogaj deri tash ka botuar këto vepra poetike:
1. “Kosovë nuk ta mora diellin”, Tiranë, 2007
2. “Shtigjet e dritës” , Prishtinë 2009 dhe
3. “Loja mbi gurë”, Prishtinë, 2010.
Ky autor ka në dorëshkrim edhe disa vepra të tjera, që pritet t’i botojë në të ardhmen.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen