Sonntag, 17. Oktober 2010

TAKIMET DON MIKELI

Engjëll Koliqi: Në Stubëll të Karadakut foli historia
E Premte, 01-10-2010, 10:00pm (GMT+1)


Në përqafim të Ministrit, pasi e zbuloi pllakën e Muzeut
Në përqafim të Ministrit, pasi e zbuloi pllakën e Muzeut
Në Manifestimin tradicional në përkujtim të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë – “Takimet e Dom Mikelit” – të 21-tat me radhë:

NË STUBËLL TË KARADAKUT FOLI HISTORIA

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve – Z. Lutfi Haziri zbuloi pllakën e Muzeut të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, ndërkaq përfaqësuesi i Ambasadës së Francës në Prishtinë, zbuloi Memorialin e Martirëve Shqiptarë të Karadakut, të përsekutuar nga Perandoria Otomane, në vitet 1846-1848.

Shkruan: Engjëll Koliqi
Stubëll, shtator 2010

Të shtunën e fundit të këtij muaji, pikërisht më 25 shtator, në Stubëll të Karadakut janë organizuar, për të njëzetenjëtën herë me radhe “Takimet e Dom Mikelit 2010” – manifestim ky tradicional, që mbahet që nga viti 1990, në kujtim të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë – (1584 – 1905).
Sivjet, në 20 Vjetorin e këtij manifestimi, gjithçka ishte më solemne, sepse historia foli publikisht dhe vuri një vulë të madhe, duke e shpallur ndërtesën ku u legalizua Shkolla e Dom Mikelit – Muze i Shkollës Së Parë Shqipe në Kosovë, që deri më tani ishte monument kulturo-historik, nën mbrojtjen – dikur të Krahinës Autonome të Kosovës, sot të Republikës së Kosovës.
Këshilli Organizativ i këtij manifestimi, të prirë nga famullitari Don Herbert Berisha dhe nga veprimtari Mr Sarë Gjergji, gjithçka kishin menduar dhe kishin përgatitur me kohë. Ishte rregulluar një monument për Martirët tanë, të persekutuar nga Perandoria Otomane – në vitet 1846 - 1848, që kishte formën e Altarit, duke simbolizuar kështu flijimin etyre për fe dhe atdhe. Në shenjë faënderimi për ndihmën që u kishin ofruar Martirëve atëherë Franca dhe Britania e Madhe, ishin ftuar ambasadat e këtyre dy vendeve, në Prishtinë, dhe monumentin e ka zbuluar një përfaqësuese e Ambasadës së Francës në Prishtinë, bashkë me veprimtarin e moshuar – Z. Pashk Zefi.

Ndërkaq, ajo që i përgjigjet edhe titullit të këtij reportazhi, duke thënë:
se në Stubëll foli historia, është zbulimi i pllakës së Muzeut tëShkollës së Parë Shqipe në Kosovë, nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve – Z. Lurfi Haziri, i cili i ishte përgjigjur ftesës së Këshillit Organizativ, me devotshmëri dhe me krenari. Ndërtesa e kishës së vjetër, që sot i kushtohet Shën Gjergjit, ku kishte punuar Shkolla e Dom Mikelit (e para e legalizuar), që qysh prej vitit1978 ishte monument kulturo-historik, që nga 25 shtattor 2010 mori vulën e historisë, nga Ministri Haziri, si Muze i Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë. Pllaka e Muzeut, që ishte e mbuluar me flamurin tonë kombëtar dhe me atë të Republikës së kosovës, u zbulua solemnisht nga ministri i përmendur dhe nga drejtori i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ultë “Dom Mikel Tarabulluzi” – Prof. Fran Gjergji. Meqë kemi plot argumente për Kolegjin e Shën Lukës, të vitit 1584, shkencëtarëve u mbetet të hulumtojnë nëpër arkive dhe biblioteka botërore, për të gjetur dokumente të detajizuara, që flasin për një datë caktuar.
Në mungesë të Ipeshkëvit Imzot Dodë Gjergji, i cili ishte jashtë vendit, për çështje shëndetësore, meshën solemne e udhëhoqi Vikari Gjeneral i Ipeshkëvisë së Kosovës – Don Dr Lush Gjergji. Don Lushi udhëhoqi edhe tribunën shkencore, që këtë vit iu kushtua 100 Vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Të Lumturuarës Nënë Tereza.

Në vigjilie të manifestimit, më 24 shtator është mbajtur Ora Letrare e Fëmijëve, ku kryesisht kanë recituar nxënësit e Shkollës “Dom Mikel Tarabulluzi” nga Stublla. Mbas tribunës shkencore, është mbajtur Ora e Madhe Letrare, ku poezitë e tyre i kanë recituar dhe lexuar mbi dyzet poetë nga mbarë trojet tona Etnike – nga Kosova, nga Shqipëria, nga Maqedonia, nga Mali i Zi, nga Presheva e Bujanoci, si dhe poetë nga diaspora, edhe shqiptaro-amerikanë. Në fund të orës letrare, si zakonisht, është shfaqur një program mjaft i pasur kulturo-artistik, nga artistët e Ansamblit “Alb-Folk” nga Gjilani dhe “Kemajl Azizi” nga Vitia. Ka shkëlqyer Ylli gjilanas i muzikës popullore – Nazim Gagica, me një potpuri këngësh patriotike, që ka kënaqur mijëra të pranishëm.

Në fund – si zakonisht janë dhënë edhe çmimet tradicionale. Juria Profesionale, e përbërë nga Nuhi Ismaili, Ramadan Musliu dhe Isak Ahmeti, Çmimin Letrar “Agim Ramadani”, ua ka dhënë këtyre poetëve: Vendi i parë – Vilson Culaj, vendi i dytë – Fatime Ahmeti dhe vendi i tretë – Fehmi Ajvazi. Ndërkaq Çmimin “Akil Koci”, për kontribut dhe të arritura të jashtëzakonshme ndërmjet dy takimeve, e ka marrë autori i këtij reportazhi – Engjëll Koliqi. Moderatori i sivjemë i manifestimit – Mr Sarë Gjergji i ka kumtuar çmimet, ndërkaq Çmimin “Agim Ramadani” laureatëve ua ka dorëzuar bashkëshortja e heroit – Zonja Shukrie Ramadani, ndërkaq Çmimin “Akil Koci” Engjëllit ia ka dorëzuar famullitari Don Herbert Berisha.

Manifestimi ishte organizuar shumë bukur dhe rrodhi aq mrekullueshëm, sa që me plot të drejtë, secili nga ne mund të themi: Jam krenar që jam shqiptar!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen